Feeds:
Posts
Comments

Kur plas shatlli

M’u desh një ditë të përktheja në shqip termin anglisht space shuttle, që i referohet një mjeti transporti të mirënjohur anembanë botës.

Vetë termi anglisht, është një metaforë, meqë e quan anijen në fjalë sipas ngjashmërisë me sovajkën (angl. shuttle), pjesë e vegjës që lëviz në mënyrë karakteristike, me vajtje-ardhje; ose edhe një vegle të ngjashme në makinën qepëse.

Shqipja e quan sovajkën edhe drugë dhe mëqik, duke treguar në këtë pikë një shkallë pasurie të admirueshme – edhe pse fiktive (kush i thërret sovajkës drugë, nuk përdor as sovajkë as mëqik; ndryshimet në shenjues nuk i përgjigjen ndonjë ndryshimi në të shenjuar; këto sinonime janë thjesht leksikografike, ose janë kafshë të ndryshme, që i kanë futur me zor në të njëjtin kafaz në Zoo).

Continue Reading »

Zogj, miza dhe lepuj

Para disa ditësh, shkrova një ese të shkurtër për shprehjen “me një gur vras dy zogj” në gjuhën shqipe, ku mes të tjerash përmenda edhe shprehje të barasvlershme në gjuhë të tjera europiane.

Këto krahasime dhe tabela, edhe për këtë shprehje, gjenden lirisht online; unë vetëm sa i përmenda.

Aty vura re edhe se europianët, për të treguar efikasitetin e lartë të një veprimi, përdorin në thelb tre metafora: dy zogj, dy lepuj ose dy miza. M’u duk me interes t’i shënoja këto metafora në një hartë, për të vizualizuar shpërndarjen e tyre.

Hartën e kam sjellë më lart; për ta parë, këshilloj që ta hapni në një ekran të madh.

Natyrisht edhe hartat e shpërndarjes së kësaj shprehjeje gjenden lirisht online – i vetmi kontribut “origjinal” imi është që kam përdorur imazhe jo fjalë, për të treguar shpërndarjen.

Lexuesi do të shohë menjëherë se zogjtë janë të shpërndarë në perëndim dhe në jug, lepujt në lindje, dhe mizat në qendër të kontinentit.

Continue Reading »

Me një gur…

Shpesh nuk e vëmë re mizorinë idiote që struket në shprehje nga më të rëndomtat – të tipit të marrtë mortja ose e theu qafën; të cilat gjuha i ka vënë në gjumë, dhe ashtu sikur i ka amnistuar.

E tillë më tingëllon edhe me një gur vras dy zogj, që gjithnjë më ka turbulluar, me imazhin që sugjeron: sikur të mos mjaftojë vrasja e një zogu me gur (pse?), duhet që guri të vazhdojë rrugën dhe të vrasë edhe një zog tjetër.

Pyes lexuesin: kur ka qenë hera e fundit që të ka shkuar mendja të vrasësh një zog? Dhe aq më tepër me gur?

(Ne jemi burra të mirë dhe nuk i vrasim vetë zogjtë që hamë…)

Faji më çon në fëmijëri, dhe më kujton çuna që endeshin poshtë gështenjave të egra, te WC-të publike prapa Komitetit Ekzekutiv në Tiranën e atëhershme; dhe që godisnin me llastiqe precize zogjtë që mblidheshin në kurorat e atyre pemëve, për të çukitur frutat e tyre iriqe.

Aq shumë zogj, sa me një gur mund të vrisje edhe katër ose pesë.

Continue Reading »

Artifakt/Artefakt

Një koleg më pyeti për drejtshkrimin e saktë të fjalës artifakt, që e kish ndeshur në një shkrim timin: artifakt apo artefakt?

Nuk gjej gjëkundi që këtë fjalë ta kenë pasqyruar fjalorët e referencës për shqipen, çfarë do të thotë se asaj ende nuk i është dhënë ndonjë drejtshkrim i sanksionuar – prandaj disa do ta shkruajnë artifakt, të tjerë artefakt.

Forma me i (artifakt) i referohet, për mendimin tim, anglishtes amerikane artifact; në një kohë që forma me e (artefakt) lidhet jo vetëm me italishten artefatto dhe frëngjishten artéfact, por edhe me anglishten britanike artefact.

Drejtshkrimin me e e mbështet etimologjia e fjalës, nga latinishtja arte factus, diçka “e bërë me art”. Dhe në fakt, si emër, fjala është përdorur për sende të prodhuara nga dora e njeriut, si ato që gjenden gjatë një gërmimi arkeologjik.

Por fjala ka një kuptim tjetër, me të cilin edhe unë e kam përdorur më shumë se një herë – atë të diçkaje që vrojtohet gjatë një hulumtimi ose eksperimenti (shkencor), por që shfaqet atje si rezultat i procedurës vetë.

Për shembull, disa efekte të fotografisë që i detyrohen aparatit optik me të cilin është bërë shkrepja, jo gjësë që fotografohet.

Continue Reading »

Mesdheu në pasqyrë

Fjalë më shumë e toskërishtes, LEVEND ndeshet edhe në gegnishte, si shumë fjalë të tjera që kanë hyrë në shqipe nga turqishtja. Etimologjinë e fiksuar prej Miklosich-it nga osmanishtja, duke dhënë si kuptim “freiwilliger Soldat auf türkischen Galeeren, Vagabund, Schandbude, eig. Levantiner” e rimerr Tahir N. Dizdari te Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, duke cituar S. Frashërin, që te Kâmûs-ı Türkî e nxjerr turqishten levend (dhe levent) nga italishtja levantino, ushtar me rrogë, nga ata që vendikasit rekrutonin në Lindjen e afërme. Më parë, në Perandorinë Osmane levendët ishin ushtarë të marinës. Më vonë ka marrë edhe kuptimet “i hedhur, i pashëm, i shpejtë, trim etj.” Nga turqishtja, ka hyrë në të gjitha gjuhët e Ballkanit.

Italishtja levantino, nga ana e vet, i referohet lindjes gjeografike, it. Levante, vendi ku lind dielli (si leva, nga folja levare). Treccani e shpjegon levantino si emër me të cilin quheshin banorët e Levante-s, pra të Mesdheut lindor, veçanërisht shtresës europianizante të qyteteve komerciale të Greqisë, Turqisë (Stamboll, Smirne/Izmir), të Sirisë, Palestinës dhe Egjiptit; dhe pastaj edhe një stereotip dinak, i djallëzuar, i paskrupullt.

Në kuptimin e vet të kufizuar, si banor i Mesdheut lindor, levantini e ka origjinën nga një kulturë dhe histori specifike, e viteve kur atë det e ndanin mes tyre kryesisht Venedikasit dhe Osmanët; dhe ai, levantini, vinte nga ajo botë ku këto dy pllaka tektonike ishin në kontakt pak a shumë paqësor: qytetet bregdetare, shtresat e mesme, tregtarët; dhe prandaj edhe shënjonte një qasje specifike ndaj marrëdhënieve me tjetrin, në kontekstin kozmopolit të atyre qyteteve (lexoni më shumë këtu).

Continue Reading »

Kierkegaard

Kur pata kaluar një herë në Nieuwe Kerkstraat në Amsterdam, hollandishtja ime tejet rudimentare më ndihmoi megjithatë të kuptoja se kjo kerk nuk ishte veçse simotra e anglishtes church dhe e gjermanishtes Kirche, njëlloj siç ishte nieuwe simotër e anglishtes new dhe e gjermanishtes neu, dhe po ashtu straat simotër e anglishtes street, gjermanishtes Strasse dhe madje italishtes strada (të gjitha këto vijnë nga latinishtja strata).

Një simotër të Kerk a të Kirche e kisha gjetur edhe te mbiemri i filozofit danez Kierkegaard, ku pjesën e dytë, –gaard, priresha ta lexoj nëpërmjet anglishtes guard, duke ia deshifruar kështu Sørenit mbiemrin si “roje e kishës” dhe duke supozuar se roja e kishës do të kish qenë ndonjë lloj zanati dikur; aq më tepër që, po ta mendoja edhe më hollë, “roje e kishës” i shkonte edhe simbolikisht Kierkegaard-it, teolog që u mor me etikën e krishterë dhe institucionin e Kishës dhe marrëdhënien e njeriut me Zotin.

Continue Reading »

Bagëti

Në veprën e vet madhore Le vocabulaire des institutions indo-européennes (Tome 1, 1969, Les Éditions de Minuit), Émile Benveniste i kushton një kapitull leksikut të gjësë së gjallë dhe parasë (le bétail et l’argent), duke u ndalur në fjalët pecu dhe pecunia. Për komparatistët, thotë ai, *peku shënjon “gjënë e gjallë” ose, në një kuptim më të ngushtë, “delen”, ndërsa kuptimi “pasuri”, siç del p.sh. në latinishten pecunia, mbahet për këtë arsye si dytësor dhe shpjegohet si me prejardhje nga një zgjatim semantik i termit që shënjonte, në pikënisje, pasurinë par excellence, gjënë e gjallë. Por ky autor, përmes analizës së shembujve të shumtë nga indo-iranishtja, gjuhët italike dhe ato gjermanike, mbërrin në përfundimin se *peku ka shënjuar origjinalisht “pasurinë e tundshme personale”, dhe vetëm më pas ka zhvilluar, në gjuhë të caktuara, kuptimin “gjë e gjallë, bagëti”, dhe më tej “bagëti e imët, dele” (f. 47 dhe vijim). Ky kalim nga një kuptim origjinal abstrakt, te një kuptim i rrjedhur konkret është i pazakonshëm, meqë zakonisht do të pritej e kundërta – një fjalë e përdorur zakonisht për bagëtinë, është përgjithësuar më pas për pasurinë; dhe aq më tepër në shoqëri të hershme, si ajo indo-europiane.

Shtjellimet e Benveniste-it si gjithnjë meritojnë të lexohen me kujdes – por mua, kur e ndesha këtë trajtim të cituar në një libër që po lexoja, m’u kujtuan diskutimet rreth etimologjisë së shqipes bagëti, veçanërisht nga Çabej.

Continue Reading »

Arian

Sipas INSTAT-it, sot në Shqipëri ka 854 vetë që e shkruajnë emrin ARIAN, dhe 4521 që e shkruajnë emrin ARJAN.

Popullariteti i emrit ARIAN sipas INSTAT-it:

Popullariteti i këtij emri vështirë të ndahet, të paktën për mua, nga diskursi për “racën ariane”, që praktikohej para dhe gjatë Luftës II në disa qarqe intelektuale në Shqipëri, me tundime raciste, naziste ose edhe thjesht nacionaliste. Pas Luftës, në kulturat europiane, ky lloj diskursi iu bashkëlidh vizionit nazist për racën dhe u deklasua sakaq, por në Shqipëri emri bash atëherë mori gjallërim folklorik dhe u pëlqye sidomos në vitet 1950-1960, ndoshta sepse nga shumë folës u perceptua si emër ilir (pa qenë i tillë), krahas me të tjerë emra ilirë të brezit të parë. Vitet 1950-1960 ishin edhe vite ndërrimesh paradigmatike në sistemin e emrave të njerëzve në Shqipëri, ngaqë familjet filluan t’u shmangeshin në masë emrave tradicionale me bazë fetare, si pjesë e prirjes së përgjithshme të defetarizimit kulturor.

Prejardhja kulturore e emrit ARIAN/ARJAN nuk duhet ngatërruar, megjithatë, me motivet a shtysat e një familjeje specifike për t’i dhënë fëmijës së tyre atë emër. Nëse tradicionalisht emri që i vihej fëmijës kishte shënjuar një vijimësi ose përkatësi (fetare, kulturore, farefisnore), pas Luftës II Botërore emërdhënia në Shqipëri filloi të funksiononte si projekt, ose projeksion i dëshirave të familjes mbi të ardhmen e fëmijës. Ashtu edhe vetëdija e rikuperimit të një tradite pagane (ilire) u gjallërua, krahas motivimit estetik ose eufonik dhe identifikimit me heronjtë kulturorë të ditës (aktorët dhe personazhet e librave dhe të filmave). Teksa kjo ndodhte, emrin e fëmijës nuk e përcaktonte më kalendari, as tradita, por vullneti relativisht i lirë i prindit – ishte ZGJEDHJE e këtij dhe shprehje e dëshirës së tij për fëmijën. Familja sot zakonisht e zgjedh emrin sepse e ka dëgjuar të përdoret dhe i duket i bukur, ose ngaqë e shoqëron me jetën dhe arritjet e personave të tjerë, me prestigj, që quhen ashtu. Moda luan këtu rol të rëndësishëm, siç luajnë rol edhe qëndrimet e familjarëve ndaj prirjeve kulturore: a duan t’u konformohen, apo t’i sfidojnë? Vënia e emrit shpreh kështu edhe pozicionimin kulturor serioz të familjes në kolektivitet.

Continue Reading »

Numrat në tavëll

Lojërat e tavolinës gjithnjë i kam pasur qejf, por tavllës nuk di pse i pata qëndruar larg për shumë kohë – derisa e mësova, por vonë, gjatë stërvitjes ushtarake tremujore (zborit), pasi kisha mbaruar universitetin.

Atje kishim kohë boll për eksplorime të tilla – mbaj mend që ma pat mësuar Dor Kekoja, që ishte ekspert jo vetëm i lojës, por edhe i të luajturit: sjelljes me gurët, me zaret dhe me tjetrin, muhabetin shoqërues dhe gatishmërisë për t’u përballur me këdo.

Continue Reading »

Rrezik se

Një shprehje idiomatike me vlerë ndajfoljore, që e dëgjoj të përdoret rëndom në shqipen bisedore, por që nuk e gjej në fjalorët: rrezik se…, me kuptimin “ndoshta, mbase, kushedi, me gjasë, mundet që, ka (shumë) mundësi që…”:

Për shembull, kur ndodh që dikush të pyesë për shëndetin e babait dikë, të cilit babai i ka vdekur, dhe ai që e rrëfen këtë, komenton:

Rrezik se nuk e ka ditur.

Shembuj të tjerë:

Rrezik se nesër do të vijë të na thotë një gjë tjetër.

Rrezik se rruga nuk hapet më deri në pranverë.

Anglisht do të ishte: probably, most likely; ndoshta edhe perhaps, maybe, possibly, conceivably.

Shprehja del në thënie ku zakonisht flitet për një të tretë, meqë gjithnjë nënkupton një supozim.

(c) 2023 Shqipologji™.